1. Rreth veprimtarisë së Komisionit Ndërakademik për gjuhën shqipe (2010). Në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, prej disa vitesh funksion një Këshill Ndërakademik për gjuhën shqipe, me krijimin e të cilit është hedhur një hap i mirë për ta vënë këtë punë mbi një bazë shkencore dhe organizative të qëndrueshme. Meqenëse gjatë viteve të fundit veprimtaria e këtij këshilli u ndërpre për shkak të riorganizimit të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe për mungesë mjetesh financiare, Kryesia e Akademisë, ditët e fundit, organizoi një takim me anëtarët e Këshillit Ndërakademik të institucioneve të Shqipërisë për të shkëmbyer mendime lidhur me ripërtëritjen e veprimtarisë së këtij forumi, për të vazhduar punën e tij më tej, me qëllim që ky komision të funksionojë normalisht dhe në pajtim me kërkesat për një kulturë gjuhësore më të lartë e më të qëndrueshme. Lexo më shumë...
  2. Enciklopedia e artit shqiptar. Kjo enciklopedi pasqyron veprimtarinë e artistëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. është një projekt i drejtuar prej Prof. J. Papagjoni, i cili ka punuar me përkushtim dhe kompetencë. Pjesa e hartuar nga pala kosovare, pasi ka marrë sugjerimet profesionale për njësim dhe ngritje të nivelit shkencor, është në përfundim të ripunimit. Studimi paraqet një punim të munguar me vlerë shkencore.
  3. Harta Arkeologjike e Kosovës vëllimi II. Projekt i përbashkët i Muzeut të Kosovës dhe AShSh (SShShA) dhe QSA (IA) me koordinatorë përkatësisht K. Luca dhe L. Përzhita. Ka përfunduar kjo vepër e rëndësishme për historinë e Kosovës antiko-mesjetare, e cila dëshmon për autoktoninë e shqiptarëve në këto troje dhe shkallën e zhvillimit të tyre në hapësirën kohore dhe arealin përkatës.
  4. Gërmime arkeologjike në Rrafshin e Kosovës. (2010-vazhdim). Kanë vazhduar kërkimet arkeologjike (gërmime, ekspeditë përnjohëse, publikime etj.,) nga institucionet analoge siç janë, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë (IAT), Muzeu i Kosovës, Instituti i Arkeologjisë, Prishtinë (IAK).
  5. Terminologjia tekniko-shkencore dhe standardi. Ndërtimi i sistemeve terminologjike në fusha të ndryshme të dijes dhe kodifikimi i tyre është pjesë integrale e politikave gjuhësore dhe e përsosjes së standardit. Konferenca shkencore Gjendja e terminologjisë shqipe dhe perspektivat e zhvillimit të saj që u zhvillua në vitin 2009, shtroi detyrën e një projekti afatgjatë të ndërtuar mbi bazën e një platforme tashmë të skicuar, që parashikon ngritjen dhe veprimtarinë e përhershme të një komisioni qendror për terminologjinë, ngritjen e tri nënkomisioneve, përkatësisht për shkencat shoqërore, shkencat e natyrës dhe shkencat teknike, me bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e institucioneve të interesuara, organizimin e tryezave për çështjeve të caktuara dhe hartimin e fjalorëve terminologjikë nga fusha të ndryshme me terminologji ende të papërfunduar e të pakualifikuar. Ky projekt do të ketë përparësi, për vetë rëndësinë që ka përpunimi i terminologjive sot dhe për shkak të zhvillimeve të vrullshme teknologjike që e bëjnë të domosdoshme një vëmendjen e shkencës gjuhësore ndaj saj.

Ultimo aggiornamento ( Mercoledì 30 Marzo 2011 10:50 )