Akademia e Shkencave e Shqipërisë boton një numër të madh monografish, veprash shkencore, si edhe periodikësh, duke mbuluar kësisoj një spektër të gjerë të rezultateve të shkencës shqiptare në fushat humanitare, fizike e natyrore dhe shkencat e tjera të kryqëzuara.

Veprat përfaqësuese të botuara deri më sot (më shumë se 300 tituj) nga Akademia e Shkencave, mbeten pika referimi të sigurta dhe maten me nivele të përparuara të rajonit e të kontinentit për çështje thelbësore dhe kyç të historisë, gjuhës, traditës dhe në përgjithësi, të kulturës sonë kombëtare. Fjalori i Gjuhës së Sotme shqipe, Gramatika e Gjuhës Shqipe, Historia e Popullit Shqiptar, Historia e Letërsisë Shqiptare, Atlasi Klimatik i Republikës së Shqipërisë, Flora e Shqipërisë, Rajonizimi Sizmik i RPSSH, Harta Gjeologjike e Republikës së Shqipërisë, Gjeografia Fizike e Shqipërisë etj., janë fryt i një pune të gjatë dhe mbajnë firmat e personaliteteve më të njohura të shkencës shqiptare. Në vitin 2008, panë dritën e botimit tri vepra: Fjalor Enciklopedik Shqiptar (në tri vëllime), Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe dhe Harta Arkeologjike e Shqipërisë.

 

KopertinaSë shpejti do të jetë në dorë të lexuesit universitar, pasuniversitar si dhe kërkuesve shkencorë në fushën e biologjisë dhe në fusha të tilla si prodhimi bimor, hortikultura, pylltaria etj., botimi Praktika të kulturave bimore indore dhe qelizore me autorë Akad. e asoc.. Efigjeni Kongjika dhe Dr. Valbona Sota (Mata). Ky manual ka karakterin e një monografie, që paraqet metodat eksperimentale me një sfond teorik-shkencor dhe bashkëkohor. Gjithashtu shumica e materialit eksperimental është rezultat i përvojës së autoreve në punën e kryer në laboratorë me bimët endemike, autoktone dhe të rrezikuara për zhdukje.

Nisma e autoreve për përgatitjen e botimit vlerësohet për kontributin që do të japë në informimin e lexuesit të kualifikuar shqiptar në fushën e bioteknologjisë së bimëve dhe të inxhinierisë gjenetike, ku botimet në gjuhën shqipe janë të pakta.

 

Kopertina

Së shpejti del nga botimi Fjalor shpjegues i termave të botanikës, me autor kryesor Akad. Jani Vangjeli në bashkëpunim me Akad. e asoc. Efigjeni Kongjika, Akad. Feriz Krasniqi dhe Akad. Latif Susuri. Redaksia e botimit përbëhet nga kryeredaktor Prof. dr. Agim Duro dhe redaktor Akad. Jani Vangjeli.

Botimi është realizuar në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kërkimor-Shkencor dhe Artistik midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ky botim është vazhdim i punës së mëparshme të autorëve dhe për dy fjalorë të tjerë (Fjalor i emrave të bimëve dhe Fjalor i termave të botanikës) dhe plotëson informacionin për pasurinë gjuhësore në fushën e terminologjisë së botanikës.

Fjalori do të jetë shumë i dobishëm për specialistët e kësaj fushe, si dhe për një rreth më të gjerë përdoruesish (biologë, inxhinierë pyjesh, agronomë, mësues, studentë e  për publikun e gjerë). Fjalori përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt shqipërimit, njësimit të termave dhe pasurimit të kësaj shkence e degëve të lidhura me të.
 

KopertinaRibotimi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë  i monografisë Korça - urbanistika dhe arkitektura, vepër e  Prof. dr. Pirro Thomos, është një variant i përmirësuar në rrafshin përmbajtësor dhe kryesisht në atë ilustrues, si pjesë organike e veprës. Kjo monografi trajton këtë qendër të rëndësishme të kulturës shqiptare në tiparet urbanistike të paraprirë prej planifikimit, qysh rreth mesit të shekullit XIX dhe veçanërisht të banesës popullore qytetare shqiptare, një tip krahasimisht i mirë me fillesë në shek. XIX. Monografia shquan për metodikën korrekte dhe njohjen e thellë të kësaj qendre, nëpërmjet studimit të shembujve të shumtë të banesës popullore dhe ansambleve urbanistike.


Mineralogjia e Mineraleve të Shqipërisë është botimi që do të sjellë Prof. dr. Aleksander Çina për kërkuesit specialistë, teknicienë dhe studentë të fushës së shkencave të tokës, i cili botohet për herë të parë kaq i plotë e i përmbledhur dhe me shumë materiale ilustrative.
 

Popullsia e Kosovës në vitet 1831-1912, është vepra e Akad. Kristaq Priftit, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë , që del para studiuesve dhe opinionit të gjerë publik  në kuadrin e veprimtarive shkencore të ndërmarra prej Akademisë me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar.

Monografia është pjesë e një studimi disavjeçar të autorit mbi popullsinë e të gjitha trojeve shqiptare gjatë shek. XIX dhe fillimit të shekullit XX. Mbështetet kryesisht në dokumentacionin osman në gjuhën e vjetër turke, të hulumtuar prej tij në Arkivin Osman të Kryeministrisë në Stamboll (BOAI), në fondet e arkivave të vendeve të Europës e të Ballkanit dhe në një bibliografi të gjerë të autorëve turq dhe europianë, kushtuar problemeve të demografisë së Perandorisë Osmane në tërësi e të vendeve të Ballkanit. Përmbajtjen kryesore të veprës e zënë rezultatet e regjistrimeve osmane të popullsisë, duke filluar nga Regjistrimi i parë modern i vitit 1831 e deri tek Regjistrimi i fundit i viteve 1905-1907. Autori sjell një informacion të ri e të pasur për popullsinë e Kosovës, të mbështetur në një dokumentacion të gjerë, të pabotuar e të panjohur deri më sot në historiografinë e Perandorisë Osmane e të vendeve të Ballkanit. 

Vepra përbën studimin e parë tërësor për popullsinë e Kosovës në shek. XIX deri në fillimin e shek. XX. Me informacionin e gjerë dhe me përfundimet që dalin prej tij hidhet dritë mbi përbërjen etnike përgjithësisht shqiptare të popullsisë së Kosovës, mbi vazhdimësinë e pranisë së shqiptarëve në trojet e tyre amtare si popullsi autoktone, si edhe mbi raportet e tyre me popullsitë dhe grupet e tjera etnike që banojnë në Kosovë. 

Vepra do të shërbejë si një pikë referimi për studime të mëtejshme për problemet e historisë politike të Kosovës dhe të territoreve shqiptare në tërësi dhe si një mbështetje për studime të tjera në lëmin e demografisë historike të Kosovës.
 

Ka shkuar në shtyp botimi për historikun e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në 40 vitet e veprimtarisë së saj. Objektivi i këtij botimi është të pasqyrohen të dhënat arkivore mbi themelimin e Akademisë së Shkencave, rezultatet kryesore shkencore ndër vite si institucioni shkencor më i rëndësishëm në vend, lidhjet ndërkombëtare e  shkëmbimet akademike të shkencëtarëve shqiptarë, pjesëmarrja në veprimtari ndërkombëtare, si dhe studimet shkencore të kryera nga institutet e Akademisë së Shkencave për zgjidhjen e një vargu problemesh të rëndësishme.



Fjalor Enciklopedik Shqiptar është një vepër madhore që do të shërbejë për një kohë të gjatë si një nga burimet më të besueshme, objektive dhe ndërtuar sipas kriteresh të rrepta shkencore per çështjet më themelore që lidhen me shqiptarët, që nga origjina e tyre e deri në ngjarje aktuale. Klikoni për të lexuar parathënien e kësaj vepre ...

 


Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe, fryt i bashkëpunimit intensiv midis institucioneve të ndryshme në Itali: CNR, Universiteti i Studimeve i Napolit etj. dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë). Vlerat shkencore të shumëfishta të Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe, rezultat i hulumtimit të të gjitha varianteve gjuhësore të shpërndara në territorin albanofonon, si dhe ndikimi i tij për kërkime të mëtejshme në kontekstin e njohjes e zhvillimit të kulturës gjuhësore, e bëjnë atë sot veprën më domethënëse në fushën e gjeografisë gjuhësore. Dukuritë gjuhësore të trajtuara në të mbulojnë fonetikën, morfologjinë, sintaksën (vëllimi I); leksikun (vëllimi II) dhe pasqyrohen në hartat gjeografike me ngjyra, për të lehtësuar leximin e simboleve, të cilat përfaqësojnë varietetet e këtyre fenomeneve.

 


Harta Arkeologjike e Shqipërisë, nën drejtimin e Pierre Cabanes dhe bashkëpunimin e profesorëve Muzafer Korkuti, Apollon Baçe, Neritan Ceka, me mbështetjen e UNESCO-s dhe “Cooperazione Italiana allo Sviluppo”, është një hartë arkeologjike e Shqipërisë, e cila trajton njëra pas tjetrës, Prehistorinë dhe Antikitetin. Periudhat prehistorike janë paraqitur natyrisht duke ndjekur kronologjinë, që nga Paleoliti deri në Periudhën e Hekurit; përkundrazi, për Antikitetin, është parapëlqyer të ndiqet një plan gjeografik, sipas krahinave, duke filluar nga Shqipëria e Jugut (Kaonia), për të kaluar pastaj në krahinën e Apolonisë, Bylisit dhe Amantias, e më pas, në atë të Elbasanit dhe Korçës, duke ndjekur rrugën Egnatia përgjatë luginës së Shkumbinit, deri në pellgun e Korçës; më në veri shkohet në krahinën e Dyrrahut, e më tej në Lis dhe Shkodër. Për çdo vendbanim, autorët bëjnë një paraqitje të historisë së krahinës ose të vendbanimit dhe pastaj, një përshkrim të monumenteve, të shoqëruar me harta, rilevime dhe dokumente figurative, duke përcaktuar gjendjen aktuale të tyre, të ruajtjes dhe restaurimet e ngutshme. Ky botim do të jetë një mjet i dobishëm për njohjen e qendrave arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë, të cilat përfaqësojnë tiparin dallues të pasurisë së larmishme të trashëgimisë kulturore të këtij vendi. Njëherazi, ai është shprehje e drejtpërdrejtë e idesë së Deklaratës Universale të UNESCO-s që e përcakton si"një mjet për t'u përfshirë në një qenësi intelektuale, ndjenjash, morale dhe shpirtërore që të sjellin kënaqësi dhe krenari". Kjo hartë vjen pas përvojës së vyer të botimit, në vitin 2006, të Hartës Arkeologjike të Kosovës, rezultat i natyrshëm i bashkëpunimit të dy Akademive, asaj të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kjo nismë do të pasohet nga një vëllim i dytë, që do të bëjë të njohura arritjet e kërkimeve arkeologjike për epokën bizantine dhe periudhën otomane.

 


Në programin e botimeve një vend të shenjuar zënë periodikët: Deri në vitin 2007 Akademia me institutet e saj botonte disa periodikë: Studime filologjike, Studia Albanica, Studime historike, Iliria, Candavia, Studime Biologjike, Studime Gjeografike, Çështje të Folklorit Shqiptar, Kultura Popullore etj. Sot ajo boton dy periodikë në gjuhë të huaj, ku përfshihen artikuj, studime, rezultate konferencash dhe simpoziumesh kombëtare dhe ndërkombëtare për çështje të ndryshme me interes shkencor dhe praktik: Studia Albanica, revistë gjashtëmujore, ku botohen artikuj nga fushat gjuhës, letërsisë, historisë etj., kryesisht në gjuhën frënge; AJNTS - Albanian journal of Natural and Tecnichal Sciences, revistë 6-mujore në gjuhën angleze, (numri i parë i së cilës është botuar në vitin 1996), e cila mbulon të gjitha fushat e shkencave natyrore-teknike.

Pranë Akademisë së Shkencave funksionon Këshilli i Botimeve, ku marrin pjesë akademikë dhe punonjës me përvojë të shkencës. Kryetar i Këshillit është Akad. Gudar Beqiraj.